Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ndeshje e fortë në Vushtrri, Samadrexha fiton për një gol

Ndeshja Vushtrria – Samadrexha është dëshmuar si derbi i vërtetë. Të shtunën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” është zhvilluar ndeshje shumë e fortë, ndërsa dallimi në gola në fund ishte vetëm një.
Ndeshjen e xhiros së 17-të të Superligës së hendbollisteve e fitoi Samadrexha me rezultat 20:19.
15 minutat e parë të takimit ishin të barabartë. Më pas Samadrexha bëri shkëputje deri në katër gola (10:6). Pas 30 minutave rezultati ishte 10:7 për Samadrexhën.
Vushtrriaset megjithatë nuk u dorëzuan. Agnesa Hysa shënoi në minutën e 45-të për 14:14. Samadrexha bëri sërish shkëputje të lehtë, por Vushtrria nuk u dorëzua deri në fund. Në minutën e 58-të, Erza Tafilaj shënoi për epërsinë 20:18 të Samadrexhës. Në minutën e 59-të, Gentiana Basholli e shënoi golin e fundit në ndeshje, për 20:19.
Rabia Oz udhëhoqi Samadrexhën me tetë gola. Gjashtë i kishte Ameni Jemmali, ndërsa tri i shënoi Erza Tafilaj.
Burneta Rama e Albulena Kelmendi i shënuan nga pesë gola për Vushtrrinë. Tri i realizoi Agnesa Hysa, ndërsa nga dy i kishin Gentiana Basholli e Donita Kasumi.
Një xhiro para fundit, Samadrexha është e treta me 26 pikë. Vushtrria është e katërta aktualisht me 18 pikë.
Po të shtunën, Shqiponja fitoi ndaj Jusuf Gërvallës me rezultat 44:23.
Alma Nivokazi i shënoi plot 15 gola për Shqiponjën. Nëntë i kishte Orgesa Gola e shtatë Larisa Ferizaj.
Arjeta Imeraj i kishte 11 gola për Jusuf Gërvallën. Pesë i realizoi Valira Aliçkaj e katër Learta Gashi.
Shqiponja është e pesta me 18 pikë. Jusuf Gërvalla mban vendin e tetë me pesë pikë.