Ndeshje interesante në xhiron e fundit

Të mërkurën janë katër ndeshjet e xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës në hendboll. Është kjo xhiroja e fundit e stinorit vjeshtor. Pas të mërkurës do të luhet vetëm edhe ndeshja e mbetur mes Besa Famgasit dhe Rahovecit.
Por fillimisht fokusi është te ndeshjet e xhiros së 14-të. Janë disa ndeshje që priten me interes nga hendbolldashësit.
Vushtrria – Llapi luhet prej orës 17:30, me skuadrën vendase që synon ta vazhdojë ecurinë pozitive. Ndërkohë të tri ndeshjet që fillojnë prej orës 19:00 pritet të jenë me rivalitet dhe interesante. Prishtina është favorite në ndeshjen në udhëtim ndaj Deçanit, ndërsa derbi vlerësohet përballja mes Trepçës e Rahoveci. Mitrovicasit kishin fituar në Rahovec me një gol dallim dhe kërkojnë sërish fitoren. Por “vreshtarët” udhëtojnë me plane tjera.
Dy skuadrat me traditë, Vëllaznimi e Kastrioti, takohen në Gjakovë. Edicion më të mirë deri më tani ka pasur Kastrioti i Ferizajt, por Vëllaznimi natyrisht synon pikët.
Në tabelë udhëheq Besa Famgas me 21 pikë. Nga 16 i kanë Prishtina e Trepça. Kastrioti i ka 13 pikë, dy më shumë se Rahoveci. Pasojnë Vushtrria e Vëllaznimi me nga dhjetë pikë, Deçani me pesë dhe Llapi që vazhdon të jetë në kërkim të pikëve.

Lajme tjera