Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ndeshje shumë dramatike në Ferizaj

Fundi i ndeshjes mes Ferizajt dhe Samadrexhës ishte shumë dramatik. Dhe ishin vendaset që festuan, pas fitores 33:32.

Ndeshja i takoi xhiros së gjashtë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. U zhvillua të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj.

Në mesin e pjesës së dytë, përkatësisht në minutën e 46-të, Ferizaj ishte në epërsi prej gjashtë golash, 29:23. Në minutën e 49-të rezultati ishte 30:24.

Por mysafiret nga Samadrexha nuk u dorëzuan. U afruan gradualisht në rezultat. Në minutën e 59-të, Fetane Uzunlar e Agnesa Surdulli shënuan për të barazuar rezultatin në 32:32.

Në minutën e fundit, Sevdanur Ozkan e ndali në mënyrë të palejuar Salematou Camaran. U shkaktua penallti për skuadrën vendase. Ishte Lorena Matarova që shënoi për 33:32.

Kishte kohë të mjaftueshme për barazim të rezultatet, por lojtaret e Samadrexhës nuk i konkretizuan dy aksione rresht. Dhe kështu fitorja 33:32 i takoi Ferizajt.

Camara ishte më efikasja te Ferizaj me 10 gola. Nga pesë i shënuan Luljeta Sopjani, Elsa Kongjeli e Anja Bojaniq.

Te Samadrexha, Sevdanur Ozkan i kishte 11 gola. Nikelina Franca, Agnesa Surdulli e Fetane Uzunlar i shënuan nga pesë.

Ferizaj e shënoi fitoren e pestë rresht dhe udhëheq në tabelë me 10 pikë. Samadrexha ka dy fitore e tri humbje. Është në vendin e gjashtë me katër pikë.

Fitore të shtunën shënoi edhe skuadra tjetër ferizajase, Kastrioti.

Kastrioti fitoi në udhëtim ndaj Terezës me rezultat 35:27.

Bintou Oulare e Elza Reçica i shënuan nga tetë gola për Kastriotin. Më efikasja te Tereza ishte Arjeta Imeraj me 10 gola. Gjashtë i kishte Bleona Hashani.

Kastrioti është i treti me tetë pikë nga pesë ndeshje. Tereza mbetet pa pikë.