Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Ndeshje të rëndësishme në xhiron e 16-të

Në fundjavë luhen ndeshjet e xhiros së 16-të në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Edhe kjo xhiro ofron ndeshje të mira dhe me rëndësi për renditjen në tabelë.
Të shtunën janë tri ndeshje, ndërsa të dielën një.
Të shtunën fokusi do të jetë në dy ndeshjet që zhvillohen prej orës 19:00.

Në Pejë, kampionja dhe liderja e klasifikimit, Besa Famgas, do të sfidohet nga Vushtrria. Vushtrria këtë edicion është kthyer në elitë, por ka pretendime të mëdha dhe do ta synojë befasinë e madhe në Pejë. Besa natyrisht synon të vazhdojë me fitore. Besa udhëheq në tabelë me 25 pikë. Vushtrria është e gjashta me 14 pikë.
Prej orës 19:00 është edhe përballja e rivalëve të moçëm, Kastriotit dhe Prishtinës.
Pasi mori pikë në Rahovec, skuadra ferizajase synon fitoren ndaj Prishtinës. Ndërkohë prishtinasit udhëtojnë për dy pikë të reja dhe për të vazhduar ecurinë pozitive.
Prishtina në xhiron e 15-të e mposhti Trepçën.
Të shtunën prej orës 17:00 është ndeshja Deçani – Llapi.

Një tjetër ndeshje e rëndësishme e mbyll xhiron. Të dielën prej orës 15:00 takohen Vëllaznimi e Rahoveci. Vëllaznimi është i shtati me 11 pikë, por ka ende gjasa për të dalë në vendin e gjashtë, që siguron vazhdimin në Superligën A pas pjesës së rregullt të kampionatit.
Rahoveci është në vendin e pestë me 14 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Vëllaznimi. “Vreshtarët” synojnë fitoren në Gjakovë për ngritje në tabelë.

Lajme tjera