Të shtunën e të dielën janë në program ndeshjet e javës së shtatë të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave. Vëmendja do të jetë te ndeshja në mes të Prishtinës dhe Kastriotit të Ferizajt. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 17:30. Për shkak se palestra në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në kryeqytet është e zënë, derbi i xhiros zhvillohet në palestrën në Bardhosh.
Prishtina ditë më parë e mposhti kampionen në fuqi, Vushtrrinë. Tani synon fitore tjetër. Por pretendimet e veta i ka edhe Kastrioti. Kastrioti është i dyti në tabelë me 9 pikë nga 6 ndeshje. Prishtina është e katërta me 8 pikë nga 5 ndeshje.
Në tabelë udhëheq Istogu me 12 pikë nga 6 ndeshje. Vushtrria është e treta me 8 pikë nga 5 ndeshje, sa i ka edhe Ferizaj në vendin e pestë.
Të shtunën janë edhe ndeshjet: Ulpiana – Vushtrria (15:00, Ferizaj), Jusuf Gërvalla – Vjosa (16:00), Istogu – Vëllaznimi (18:00).
Ndërkohë të dielën janë takimet: Drita – Shqiponja (16:00, Gjakovë), Ferizaj – Samadrexha (16:00).
Në Ligën e Parë të hendbollisteve tri ndeshje luhen të dielën: Trepça – Deçani (14:00), KEK-u – Llapusha (12:00), CLICK – Prizreni (13:00).