Të mërkurën luhen ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve. Janë dy ndeshje që priten me vëmendje.
Skuadrat e Superligës A, Kastrioti e Vëllaznimi takohen nga ora 18:30 në Ferizaj. Skuadra e Kastriotit ka mbetur prapa në garën për plejof, ndërsa synon që të zë vend në turneun final të Kupës së Kosovës. Synim të njëjtë ka edhe ekipi gjakovar.
Prej orës 18:30 takohen edhe Trepça e Deçani. Kjo ndeshje zhvillohet në Mitrovicë. Deçanasit e kanë fituar ndeshjen e fundit kampionale me “xehetarët” dhe udhëtojnë për të bërë befasi. Ndërkohë Trepça pas disa dështimeve në Superligë, synon të bëhet pjesë e katërshes gjysmëfinale të Kupës.
Në ndeshjen Besa Famgas – Rahoveci, skuadra vendase llogaritet favorite e madhe. Edhe ndeshja në Pejë zhvillohet prej orës 18:30.