Këtë fundjavë fillon stinori pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat). Pritet që në pranverë skuadrat të zhvillojnë garë interesante për titull të kampionit, ndërsa plot pesë skuadra mund të përfshihen në këtë garë. Istogu e Vushtrria kanë përparësi për shkak të pikëve që kanë mbledhur në vjeshtë, por edhe cilësisë në përbërje, ndërsa atyre në garë për titull pritet t’iu bashkohen edhe Shqiponja, Kastrioti e Prishtina. Istogu e Vushtrria i kanë nga 16 pikë, Shqiponja e Kastrioti nga 13 kurse Prishtina 12 pikë. Katër pikë është dallim fare i vogël marrë për bazë që në pranverë luhen edhe nëntë xhiro tjera në pjesën e rregullt të kampionatit.
Pesë skuadrat e para nuk takohen mes vete në javën e parë të pranverës, përkatësisht xhiros së dhjetë dhe llogariten favoritë.
Kështu të shtunën (nesër) luhen tri ndeshje. Takimi i parë është ai Jusuf Gërvalla – Istogu që fillon në ora 13:00. Në ora 15:00 takohen Kastrioti e Samadrexha, kurse prej orës 17:00 luajnë Vushtrria e Vjosa.
Të dielen janë dy ndeshje tjera. Drita e pret Shqiponjën prej orës 13:30, ndërsa nga ora 14:30 takohen Prishtina e Vëllaznimi. Para ndeshjeve të ekipeve seniore luhen ndeshjet e grupmoshës së kadeteve.
Këtë fundjavë fillon gara pranverore edhe në Ligën e Parë të femrave. Në kuadër të javës së 10-të, të shtunë luhen ndeshjet KEK-u – Dukagjini (11:00) dhe CLICK – Trepça (15:00). Ndeshjet e së dieles janë Ferizaj – Llapusha (13:00), Prizreni – Verona (17:00).