Me ndeshjen derbi mes Shqiponjës e Istogut hapet java e 14-të në Superligën e Kosovës për hendbolliste. Ndeshja Shqiponja – Istogu luhet të shtunën nga ora 16:30 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Istogu është i pari në tabelë me 24 pikë ndërsa Shqiponja e treta me 21 pikë.
Kampioni aktual, Shqiponja ka angazhuar së fundi një lojtare të huaj dhe do të mundohet të ndal Istogun. Skuadra istogase poashtu synon fitore, kështu që pritet një ndeshje e fortë e cilësore.
Ndeshjet tjera të javës së 14-të janë të dielen: Drita – Vjosa (13:30), Vëllaznimi – Samadrexha (13:30), Prishtina – Jusuf Gërvalla (14:30), Vushtrria – Kastrioti (17:00). Kastrioti është paraqitur fuqishëm në ndeshjen për Kupë ndaj Shqiponjës dhe pritet që edhe ndeshja me Vushtrrinë të jetë cilësore.
Në Ligën e Parë të hendbollisteve është java e 14-të. Sot takohen KEK-u e Ulpiana, ndërsa të shtunën është ndeshja Ferizaj – Trepça (17:00). Dy ndeshjet e së dieles janë: Dukagjini – Verona (12:00), CLICK – Prizreni (17:00).