Në fundjavë janë ndeshjet e xhiros së 27-të në Superligën A të Kosovës në hendboll. Është kjo xhiroja e parafundit, ndërsa pas xhiros së 28-të luhet plejofi për të caktuar skuadrën kampione.
Në kuadër të javës së 27-të janë dy ndeshje interesante. Kështu Prishtina pasi e ndali në barazim Kastriotin në Ferizaj të enjten, synon paraqitje të mirë edhe ndaj Besa Famgasit. Ndeshja Prishtina – Besa Famgas luhet të dielen nga ora 18:00.
Besa është e para në tabelë me 48 pikë, ndërsa Prishtina e treta me 39 pikë. Kastrioti është i dyti me 45 pikë. Ndeshje interesante pritet të jetë edhe ajo që luhet në Gjakovë në mes të Vëllaznimit e Vushtrrisë, që poashtu është të dielen nga ora 18:00. Ndeshja mund të vendos për pozitën e katërt dhe të fundit që dërgon në plejof. Vëllaznimi është ngritur të enjten në vend të katërt me 21 pikë, ndërsa Vushtrria është e gjashta me 20 pikë. 20 pikë i ka edhe Drita e vendit të pestë.
Drita të shtunën nga ora 18:00 e pret Kastriotin në Gjilan.
Në Superligën B është java e fundit, përkatësisht 24. Të shtunën prej orës 18:30 takohen Trepça e Zhegra. Ndeshja Samadrexha – Drenica luhet më 2 maj. Foto nga: Shpend Ahmeti – Fotograf