Të martën në lokalet e Federatës së Hendbollit të Kosovës është nënshkruar kontrata për organizimin e garës për Superkupën e Kosovës në hendboll në të dy konkurrencat.
Bordi i FHK-së vendosi të hënën që ndeshjet e Superkupës të luhen të shtunën në Rahovec.
Të martën marrëveshjen e kanë nënshkruar ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, Muhamet Arifi dhe Afrim Deliu, drejtor sportiv i KH Rahovecit.
Bordi i FHK-së ka vendosur që ky edicion i Superkupës të njihet me emrin “Superkupa e Kosovës – edicioni Izet Gjinovci”. Ky vendim u mor për të nderuar personalitetin dhe kontributin e ish-sekretarit të përgjithshëm të FHK-së, Izet Gjinovci, që ndërroi jetë më 5 gusht. Gjinovci për mbi dy dekada e mbajti postin e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së. Në detyrë ishte deri në frymën e fundit, kurse kontributi i tij për hendbollin vlerësohet i madh.
Të shtunën prej orës 15:30 në palestrën “Mizahir Isma” zhvillohet ndeshja e hendbollisteve mes Istogut dhe Ferizajt. Istogu është kampion në fuqi, ndërsa Ferizaj fitues në fuqi i Kupës.
Prej orës 18:00 është ndeshja e hendbollistëve mes Rahovecit dhe Kastriotit të Ferizajt. Rahoveci është kampion, e Kastrioti fitues i Kupës.