Federata e Hendbollit e Kosovës të mërkurën ka firmosur marrëveshjen e radhës për sponsorizim. Bazuar në legjislacionin në fuqi që rregullon sponsorizimin në fushën e kulturës dhe sportit, kemi nisur partnerit me Kompaninë e Sigurimeve Illyria. Bëhet fjalë për një kompani serioze, me të cilën presim të kemi bashkëpunim shumëvjeçar.
Marrëveshjen njëvjeçare e kanë nënshkruar presidenti i FHK-së Eugen Saraçini dhe drejtori i Illyria, Shpend Balija.
Presidenti Saraçini është shprehur i lumtur për marrëveshjen. Ka thënë se rezultatet e FHK-së kanë bërë që numri i partnerëve të jetë në rritje të vazhdueshme.
Ndërkohë drejtori i Illyria, Balija, ka vlerësuar lartë fillimin e bashkëpunimit me FHK-në.
“Po fillojmë një partneritet me një organizatë sportive shumë të suksesshme dhe për rritjen e së cilës presim të dëgjojmë edhe më shumë në të ardhmen.
Është ky bazamenti i një bashkëpunimi që besojmë fuqishëm se do të jetë për kohë të gjatë dhe në interesin e dyanshëm. Vetëm në vitin e fundit, Federata e Hendbollit e Kosovës është bërë top-lajm në të gjitha mediat e vendit, por edhe në media tjera. Drejtuesit e saj, por edhe ekipet e shoqatat që i ka nën ombrellë, shquhen për nivelin profesional”, ka thënë ndër të tjera drejtori i Illyria, Shpend Balija.