Hendbollistët e Kombëtares së Kosovës të enjten i mësojnë kundërshtarët në fazën kryesore kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026. Shorti tërhiqet nga ora 16:30 në Kopenhagë, ku mbahet edhe konferenca e sekretarëve gjeneralë të federatave nacionale, anëtare të EHF-së.
Danimarka, Suedia dhe Norvegjia e organizojnë Evropianin e ardhshëm dhe kualifikohen direkt, njëjtë si Franca, që është kampione aktuale. 32 ekipe kombëtare garojnë në kualifikimet e rregullta për 20 bileta të Evropianit.
Do të formohen tetë grupe me nga katër kombëtare. Dy të parat nga secili grup kualifikohen e po ashtu katër prej tetë kombëtareve më të mira të vendeve të treta. Për short, Kombëtarja jonë është në vazon e katërt.
Kualifikimet për Euro 2026 fillojnë më 6 nëntor të këtij viti dhe përfundojnë më 11 maj të vitit 2025.
Kombëtarja jonë tashmë e ka përvojën në kualifikimet e rregullta dhe do ta kërkojë suksesin.
Vazo 1: Gjermania, Spanja, Hungaria, Kroacia, Islanda, Sllovenia, Portugalia, Holanda
Vazo 2: Austria, Mali i Zi, Serbia, Polonia, Çekia, Maqedonia e Veriut, Ishujt Faroe, Greqia
Vazo 3: Bosnjë-Hercegovina, Sllovakia, Belgjika, Zvicra, Rumania, Lituania, Ukraina, Italia
Vazo 4: Finlanda, Izraeli, Estonia, Gjeorgjia, Turqia, Luksemburgu, Kosova, Letonia