Të shtunën (nesër) luhen takimet e javës së parë të Superligës së Kosovës në hendboll (femrat), për edicionin 2019/2020. Pritjet dhe shpresat janë për një kampionat cilësor e interesant, ndërsa skuadrat kanë nisur me kohë përgatitjet. Pritet garë interesante për titull të kampionit, por edhe për pozitat tjera.
Që në xhiron e parë janë disa takime interesante. Nga ora 14:30, Prishtina e pret Vëllaznimin e Gjakovës, që ka pretendime për një kampionat të mirë, njëjtë si Prishtina. Në ora 13:30 luhet takimi Jusuf Gërvalla – Ferizaj. Ferizaj është ekip i ri në Superligë, por që synon të stabilizohet menjëherë. Edhe klubi deçanas, Jusuf Gërvalla ka synimet e tij.
Shumë rivalitet pritet të ketë edhe në ndeshjen mes Kastriotit të Ferizajt dhe Shqiponjës së Gjakovës, që fillon në ora 17:00. Ndërsa nga ora 17:30 është ndeshja në mes të Dritës e Vushtrrisë.
Istogu e nis mbrojtjen e titullit të kampionit më vonë, për shkak të angazhimeve evropiane. Në kuadër të xhiros së parë, Istogu përballet me Samadrexhën që do të jetë vendase.