Pa fitues në derbin Prishtina – Rahoveci

Nuk ka dhënë fitues derbi i xhiros së parë në Superligën A të Kosovës në hendboll. Në kuadër të javës së 19-të kampionale, Prishtina e Rahoveci luajtën 26:26, të dielën mbrëma në kryeqytet.
Prishtina nuk ia doli t’i revanshohet Rahovecit për humbjen e shkaktuar në ndeshjen e kaluar.
Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur deri në fund. Në pjesën e parë, Prishtina krijoi epërsi deri në katër gola (11:7, 12:8), por “vreshtarët” megjithatë u afruan në një gol.
Lojë interesante u zhvillua në pjesën e dytë. Deri në dy gola u shkëputën të dy skuadrat, kurse Alban Haziri shënoi golin e fundit për 26:26. Arti Luzha i Rahovecit bëri pritje në fund.
Agon Bajqinovci i Prishtinës i shënoi dhjetë gola, ndërsa shtatë i kishte Oltion Beshiri. Endrit Tafarshiku shënoi tri gola.
Alban Haziri ishte më efikasi te Rahoveci me 12 gola. Nga tri i shënuan Marley Wallace Fernandes dhe Besmir Kusari.
Ndërkohë Besa Famgas ka vazhduar me fitore. E ka mposhtur në Pejë skuadrën e Vushtrrisë me rezultat 33:28.
Arbios Mushkolaj dhe Franco Daniel Gavidia shënuan nga shtatë gola për Besën. Gjashtë i kishte Jon Muqolli. Te Vushtrria, Nemanja Drakuloviq i shënoi 11 gola, ndërsa shtatë i kishte Bozhidar Nikoçeviq.
Fitoren më bindëse në Superligën A e shënoi Trepça.
Në “Minatori”, mitrovicasit fituan ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 37:22. Trepça u shkëput herët për të vazhduar ecurinë pozitive. Deniz Terziqi i shënoi nëntë gola për Trepçën, ndërsa shtatë i kishte Shpëtim Mehmeti. Me dy gola kontribuoi edhe portieri Meriton Lladrovci që pati tjetër ndeshje të dalluar.
Te Kastrioti, nëntë gola i shënoi Festim Mustafa, ndërsa pesë i kishte Jeton Bislimi.

Lajme tjera