Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Paraqitje solide ndaj Malit të Zi në Prishtinë

Kombëtarja e Kosovës në hendboll është paraqitur me shumë sukses në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Malit të Zi. Por disavantazhi pas pjesës së parë ka bërë që Kombëtarja jonë të mbetet pa pikë nga ndeshja e së enjtes mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Kosova u mposht me rezultat 26:24 nga Mali i Zi. Ndeshja i ka takuar fazës së dytë të kualifikimeve për Euro 2024.
Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen dhe u shkëputën gradualisht në pjesën e parë. Gati i pakalueshëm ishte portieri Simiq, që ndali shumë gjuajtje të lojtarëve tanë. Falë tij, epërsia e Malit të Zi shkoi deri në pesë gola, ndërsa pas 30 minutash rezultati ishte 11:6.
Në pjesën e dytë paraqitja e Kombëtares sonë ishte dukshëm më efikase. Sulmet përfunduan më shpesh me gol, ndërsa në anën tjetër mbrojtja ishte më e konsoliduar dhe portieri Haris Berisha në element.
Në minutën e 41-të rezultati u ngushtua në 16:13. Prapë në minutën e 54-t, rezultati u ngushtua në 22:19. Nga dëshira e madhe mungoi qetësia për të bërë hapin tutje dhe Mali i Zi mbajti epërsinë deri në fund. Tre gola e fundit i shënoi Kombëtarja jonë dhe rezultati përfundimtar ishte 26:24 në të mirë të Malit të Zi.
Haris Berisha u shqua me plot 16 pritje. Drenit Tahirukaj i kishte gjashtë gola, ndërsa pesë gola nga gjashtë tentime i shënoi Kastriot Jupa. Pesë gola i kishte edhe Egzon Gjuka.
Ndeshja e fundit e Kombëtares së Kosovës në kualifikimet për Euro 2024 luhet të dielën nga ora 18:00 ndaj Sllovenisë në Velenje.

Lajme tjera