Parduzi: Synojmë titullin e kampionit

Kalimi i Ferizajt në gjysmëfinale të plejofit, ka rritur optimizmin te skuadra e Vushtrrisë. Vushtrria tani synon titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Në finale të plejofit, Vushtrria takohet me Istogun. Ndeshja e parë është të premten prej orës 20:00 në Istog.
Vushtrria të martën fitoi ndeshjen dramatike ndaj Ferizajt dhe kështu u kualifikua në finale të plejofit. Ndeshja e tretë u luajt në Ferizaj, kurse vushtrriasit shkuan në finale me rezultatin 2:1.
Trajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi, është optimist për serinë finale.
“Synimet e klubit Vushtrria gjithmonë janë për të fituar titullin e kampionit. Këtë vit e kemi përtërirë ekipin. Kemi disa lojtare të reja që premtojnë shumë. Kemi luajtur gjatë gjithë kampionatit me synim që të arrijmë në plejof dhe sa më lartë në Kupën e Kosovës. Mendoj që kishim edicion të suksesshëm. Jemi paraqitur në finale të Kupës së Kosovës dhe tashmë jemi në finale të plejofit”, ka thënë Parduzi.
Ai pranon forcën e Istogut, por ruan besimin.
“Në bazë të fondit të lojtareve që ka Istogu, mendoj se kjo skuadër është favorite. Por ne do të japim maksimumin në çdo ndeshje që të arrijmë më të mirën e mundshme. Jam shumë i kënaqur me atë që kanë shfaqur vajzat deri më tani. Por ne nuk do të ndalemi asnjëherë”, ka shtuar Arben Parduzi.

Lajme tjera