Pas një udhëtimi të gjatë, Besa Famgas vendoset në Turda të Rumanisë

Pas një udhëtimi prej 36 orësh, skuadra pejane e hendbollit, Besa Famgas, është vendosur në Turda të Rumanisë.
Kampionia e Kosovës, Besa Famgas, të dielën prej orës 17:00 përballet me skuadrën e madhe rumune, Potaissa Turda, në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë të Kupës Evropiane. Ndeshjen e parë, të luajtur të dielën e kaluar në Pejë, Besa e fitoi me rezultat 30:28. Përkundër telasheve gjatë udhëtimit, pejanët janë të vendosur që të japin më të mirën në tentim për të kaluar në raundin tjetër. Të kujtojmë që Potaissa Turda në vitin 2018 e ka fituar Kupën Sfiduese, që ndërkohë është zëvendësuar me Kupën Evropiane.
Delegacioni i Besës nuk është lejuar që të hyjë në Rumani nga territori i Serbisë dhe për këtë arsye udhëtimi është zgjatur shumë. Kështu vazhdojnë telashet e sportistëve kosovarë për lëvizje të lirë. Besa në Turda është vendosur në orët e para të së shtunës. Pasdite skuadra pejane e zhvillon një stërvitje në palestrën ku luhet ndeshja.
Kalimi i Turdas do të ishte sukses historik për Besën dhe për hendbollin kosovar në përgjithësi.

Lajme tjera