Telashe të shumta e kanë përcjellur skuadrën e Istogut në udhëtim dhe në ditën e parë të qëndrimit në Spanjë, ku të shtunën e luajti ndeshjen e parë të 1/8 të finales të Kupës Sfiduese (Challenge Cup) për hendbolliste. Dhe ashtu si pritej pas gjithë vështirësive, skuadra e Istogut e ka humbur me rezultat të lartë ndeshjen e parë nga skuadra spanjolle Rincon Fertilidad Malaga.
Skuadra istogase të premten në mëngjes është nisur nga Shkupi për në Stamboll, ndërsa po të premten është dashur të bëhet udhëtimi prej Stambollit për në Malaga të Spanjës. Por aeroplani nga Shkupi është nisur me mbi dy orë vonesë për shkak të motit të ligë dhe për këtë delegacioni i Istogut nuk ka mundur të zë me kohë aeroplanin prej Stambollit për në Malaga.
Kështu lojtaret e Istogut thuajse tërë ditën e premte e kanë kaluar në aeroportin e Stambollit, ndërsa në mbrëmje janë vendosur në një hotel, ku e kanë kaluar natën. Udhëtimi Stamboll – Malaga është bërë vetëm të shtunën paradite, ndërsa lojtaret kanë arritur në qytetin spanjoll rreth orës 14:00, ndërsa ndeshja ka nisur në ora 18:30. Kështu lojtaret në terren janë paraqitur të lodhura nga udhëtimi shumë i gjatë.
Sikur kjo të mos mjaftonte, në takimin teknik, drejtuesit e klubit spanjoll kanë kërkuar që në sallë ku u luajt ndeshja të shfaqen flamujt tjerë, por jo edhe ai i Kosovës. Pas kundërshtimit të drejtuesve të Istogut, u vendos që në sallë të shfaqet vetëm flamuri i EHF-së dhe ai i garës Challenge Cup. Prap pak kohë pa nisur ndeshja, drejtuesit e klubit spanjoll kanë kërkuar nga drejtuesit e Istogut që në sallë të jetë flamuri i Spanjës, por jo edhe ai i Kosovës. Drejtuesit e Istogut kanë kundërshtuar ashpër, duke njoftuar se nuk do të dalin për të luajtur ndeshjen nëse në sallë shfaqet ndonjë flamur shtetëror dhe aty nuk është edhe flamuri i Kosovës. Vetëm pas vendosshmërisë së drejtuesve të Istogut, në sallë u shfaqën vetëm flamuri i EHF-së dhe ai i Challenge Cup dhe jo flamuj shtetëror.
Në ndeshje, skuadra vendase Malaga, ka dominuar plotësisht. Përkundër lodhjes, telasheve dhe fondit të limituar të lojtarëve, prej Istogut është pritur pak më shumë rezistencë. Në fund Rincon Fertilidad Malaga ka fituar me rezultat shumë të lartë, 40:9. Pas pjesës së parë rezultat ishte 17:4 për spanjollet. Te Istogu nuk ka funksionuar thuajse asgjë, ndërsa në momente edhe angazhimi nuk ishte ai i duhur.
Ndeshja e dytë luhet menjëherë të dielen (nesër) nga ora 11:00 në Alhaurin de la Torre, në afërsi të Malagas. Pritet të jetë më shumë formalitet.
KHF Istogu në rrethin e tretë të Kupës Sfiduese e ka eliminuar skuadrën italiane Cassano Magnago, ndaj të cilës fitoi dy ndeshje në Pejë. Por Istogut iu lënduan tri lojtare me rëndësi e një tjetër vendosi disa ditë më parë që të ndërprejë karrierën. Kishte synime për të angazhuar lojtare të huaja dhe pasi kjo nuk u realizua, Istogu në Spanjë udhëtoi me fond shumë të limituar të lojtareve. Kur t’i shtohen kësaj edhe problemet e paraqitura, nuk është pritur ndonjë sukses, por gjithsesi është pritur rezistencë pak më e madhe.
Rincon Fertilidad Malaga – Istogu 40:9 (17:4)
Istogu: Ujkiq 3, Kameri 4, Shatri, Rrahmani, Rugova 1, Shehdadi, F. Rexhaj, Halitaj, D. Rexhaj, V. Rexhaj, Ahmetxhekaj, Ferataj 1, Berisha.