Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll të enjten në orët e para të mëngjesit është nisur për në Portugali, ndërsa në qytetin portugez Povoa de Varzim është vendosur në orët e pasditës të së enjtes. Ndonëse të lodhur nga udhëtimi i gjatë, hendbollistët në orët e mbrëmjes kanë zhvilluar një stërvitje të lehtë, para ndeshjes së vështirë me Poloninë që e luajnë të premten (nesër) nga ora 18:15.
Ndeshja Poloni – Kosovë është e para e grupit të katërt të fazës së parë të kualifikimeve për botërorin e hendbollit që mbahet në vitin 2019. Në grupin e katërt janë edhe Portugalia vendase dhe Qipro. Vetëm i pari kalon tutje.
Kosova me Portugalinë luan të shtunën në mbrëmje, ndërsa me Qipron të dielen. Favorit për vendin e parë është Polonia, por Kosova ka synimet e saj poashtu. Synon të mposhtë Qipron dhe të bëjë rezistencë deri në fund me Poloninë e Portugalinë.
Përfaqësuesja jonë është përgatitur në Gjakovë e Prishtinë për këto ndeshje me peshë. Lojtarët janë të vendosur për të bërë hap para në paraqitje në skenën ndërkombëtare.
Për tri ndeshjet në Povoa de Varzim përzgjedhësi Ramadani ka përzgjedhur 17 lojtarë, nga 22 sa ishin në kampin përgatitor. Ai nuk mund të llogaritë në Lindrit Fetahun që u lëndua.
“Fatkeqësisht Lindrit Fetahu u detyrua të largohet pasi mori një lëndim në zogun e këmbës. Fizioterapeuti Gent Panduri u mundua me të gjitha mundësitë e tij, por Fetahu e kishte të pamundur të kalonte testin e fitnesit të mërkurën”, ka thënë Ramadani.
Lojtarët që do të përfaqësojnë Kosovën në Portugali janë: A. Curri, V. Zherka, K. Jupa, K. Krasniqi, F. Hoxha, V. Dedaj, F. Gërbeshi, F. Ahmeti, D. Terziqi, E. Xhafolli, O. Beshiri, E. Abdullahu, L. Quni, Dri. Tahirukaj, Dre. Tahirukaj, H. Berisha, B. Ramosaj.