Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Përfundojnë kualifikimet për kombëtaren e Kosovës

Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) të dielen ka përfunduar paraqitjen në kualifikimet për kampionatin botëror të vitit 2019. Kosova garoi në grupin e parë të fazës së parë të kualifikimeve evropiane. Ndeshjet e këtij grupi janë luajtur prej të premtes deri të dielen në Shala të Sllovakisë. Sllovakia i fitoi tri ndeshjet dhe doli e para në grup me 6 pikë. Ukraina u rendit e dyta me 4 pikë, Izraeli i treti me 2 pikë, ndërsa kombëtarja jonë këtë herë mbeti pa pikë, duke i humbur të tri ndeshjet.

Të dielen në ndeshjen përfundimtare të turneut, Kosova luajti ndaj Sllovakisë dhe pësoi me rezultat 40:15. Kombëtarja jonë ishte e përgjysmuar në këtë ndeshje. Pos katër lojtareve që nuk udhëtuan fare në Sllovaki për shkak të lëndimeve dhe dy tjerave që janë në pritje që të fitojnë të drejtën të paraqiten për Kosovën, ndaj Sllovakisë munguan edhe kapitenja Leonora Demaj që u lëndua të shtunën ndaj Ukrainës e poashtu dy lojtaret tjera të rëndësishme, Mirela Gjikokaj e Dorentina Osmani. Kështu selektori Agron Shabani kishte fare pak zgjedhje, por vajzat që luajtën e dhanë maksimumin e tyre. Madje disa prej vajzave shtrënguan dhëmbët dhe e luajtën ndeshjen e fundit përkundër disa lëndimeve që i kishin.

“Kemi dhënë maksimumin sot, ndonëse ishim të lodhura nga dy ndeshjet e para. Për sot kaq ishin mundësitë tona. E përsëris, kemi dhënë më të mirën nga vetja. Por ishim pak lojtare dhe përballë kishim një përfaqësuese me lojtare shumë cilësore. Ne jemi goditur nga lëndimet dhe mungesat e shumta dhe ishin të hendikepuara. Por gjithsesi do të mësojmë shumë nga kjo përvojë, që do të na shërbejë për të ardhmen”, ka thënë hendbollistja Elma Kameri. Ndaj sllovakeve me përvojë ajo shënoi shtatë gola.

Sllovakia – Kosova 40:15 (15:5)

Kosova: Pranvera Ferataj, Elma Kameri 7, Shkurta Mehmeti 3, Verona Zaskoku, Fitore Aliu 2, Ardiana Merditaj, Pashke Marku, Albina Rugova, Aurora Shehdadi, Aida Stagova, Lena Mekolli, Adriana Salihu 3.