Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Përmbyllet me sukses kampi i FHK-së

Të premten është përmbyllur kampi veror i Federatës së Hendbollit të Kosovës. Për një javë afro 100 hendbollistë dhe hendbolliste të grupmoshës U16 kanë ushtruar me zell dhe përkushtim maksimal në Gjakovë. Nga përgjegjësit, kampi tradicional është vlerësuar shumë i suksesshëm. Njomakët tanë kanë zhvilluar stërvitje të rregullta, të ndarë në grupe. Ata kanë mësuar elemente të reja, ndërsa kanë përforcuar ato të mësuara në skuadrat e tyre.

Kampi ka pasur edhe mysafirë që i kanë shërbyer pjesëmarrësve për përvojë të re. Morën pjesë edhe lojtare të reja që karrierën e zhvillojnë në vende evropiane dhe që tashmë janë kandidate për vend në ekipet nacionale të grupmoshave përkatëse. Kampistët tani e vazhdojnë punën në skuadrat e tyre, kurse përvoja e fituar do t’u shërbejë për të ardhmen në hendboll.

Kampin e shpalli të mbyllur drejtori i tij, Berat Dana. Ai falënderoi kampistët për sjelljet e mira dhe kërkoi prej tyre që të vazhdojnë të punojnë me seriozitet maksimal për zhvillimin e mëtejmë.
FHK-ja falënderon konviktin në Gjakovë për kushtet e mira të ofruara për kampistët, për akomodim e ushqim. Po ashtu falënderon palestrën në Gjakovë për terminet e ofruara si dhe Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport për përkrahjen pa rezervë. Falënderohen edhe stafi i trajnerëve e po ashtu hendbollistët dhe hendbollistet për sjelljet korrekte.