Përzgjedhësi i ri i Kosovës në hendboll për femra, Agron Shabani të hënën e ka shpallur listën e parë të tij. Të martën nis punën me hendbollistet që janë ftuar në kombëtaren A dhe atë U-20 të Kosovës. Shabani në postin e selektorit është emëruar javë më parë, ndërsa ai jeton në Luksemburg. Ai ka ditë që gjendet në Kosovë ku po bënë përgatitjet e fundit për nisjen e grumbullimit.
Te Kosova janë bërë disa ndryshime në përbërje, kanë ardhur disa lojtare me përvojë e disa të reja. Shabani është i kënaqur me fondin e lojtareve që ka në dispozicion.
“Disa kam pasur rastin t’i shoh e disa tjera do t’i njoftojë në fazën përgatitore. Për cilësi do të jap përgjigje në ndonjë rast tjerë, kur të njoftoj lojtaret më mirë. Lojtaret e diasporës kanë cilësi të mjaftueshme, por shpresoj se me punë do të inkuadrojmë edhe kuadrin që garon në Ligën e Kosovës. Jemi në fillim duke kërkuar cilësinë reale të kombëtares”, ka thënë Agron Shabani për sajtin e FHK-së.
Ai ka ftuar gjithsej 30 lojtare në një grumbullim të përbashkët të kombëtares A dhe asaj deri në 20 vjet. “Kemi lojtare të moshës së re të cilat luajnë edhe për seniore. Shorti ka rënë që të dy ekipet kanë gara në të njëjtë kohë, senioret me Bjellorusinë, kurse U-20 kualifikimet që do të mbahen në Serbi. Unë dhe të tjerët mendojmë se nuk ofrohet mundësi tjetër, vetëm që të punojmë së bashku në bazë të rrethanave dhe situatës. Është një periudhë e njoftimit tim me lojtaret e kombëtares në secilën kategori”, ka thënë Shabani.
Puna e tij do të koncentrohet në formësimin e lojës së Kosovës. Pret që disa detyra të bëhen më të qarta.
“Kemi lojtare të vendeve të ndryshme. Kjo kombëtare në rend të parë ka nevojë në rritjen e atmosferës dhe homogjenitetit. Do të punohet në sinkronizim të ekipit, do të përqendrohem në lojën kolektive si dhe punë të madhe në sektorin e mbrojtjes. Duhet të jemi një për të gjithë dhe të gjithë për një, si stafi i trajnerëve ashtu edhe lojtaret që kanë një qëllim prezentim sa më të mirë të vendit”, thotë përzgjedhësi Shabani. Synim i kombëtares A dhe asaj U-20 do të jetë prezentimi sa më i mirë në çdo aspekt. Shabani ka thënë se hapi i parë është bërë dhe tani kërkohet hapi i dytë.
“Do të mundohem të jap maksimumin së bashku me kolegët, për të mirë të hendbollit kosovar”, ka thënë Shabani.