Pikët për skuadrat favorite

Të dielën u luajtën tri ndeshje të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Skuadrat favorite nuk kanë lejuar befasi duke fituar pikët e radhës.
Deniz Terziqi e Marley Wallace shënuan nga dhjetë gola për Trepçën që mposhti Deçanin me rezultat 37:33. Deçanasit, që ishin vendas, ishin në epërsi prej një goli pas pjesës së parë, 17:16. Lulzim Shabani shtoi shtatë gola për mitrovicasit, derisa te Deçani më efikasi ishte Alecssander Santos me 12 gola. Nga gjashtë i kishin Fatlind Mazrekaj e Florian Rexha.
Si mysafire fitoi edhe Besa Famgas. Skuadra pejane e mposhti Vëllaznimin në Gjakovë me rezultat 52:32. Jon Vokshi i shënoi 14 gola për Besën, ndërsa tetë i kishte Arbios Mushkolaj.
Egzon Lluka shënoi 12 gola për Vëllaznimin, ndërsa Ardi Halili i kishte 11.
Bindshëm fitoi edhe Prishtina në Vushtrri, 40:28. Albi Gjuka i kishte tetë gola, ndërsa Ylli Visoka shtatë për Prishtinën. Fitim Klinaku realizoi 11 herë për vushtrriasit.

Lajme tjera