Polonia është kundërshtarja e parë e Kosovës në eliminatoret për botërorin e hendbollit që mbahet vitin 2019. Kosova përballet me Poloninë të premten mbrëma në Povoa do Varzim të Portugalisë.
Kosova e Polonia janë pjesë e grupit të katërt, së bashku me Portugalinë dhe Qipron. Vetëm fituesi i grupit shkon tutje dhe Polonia është bindshëm favorite.
Polonia vlerësohet lartë në hendbollin evropian, ndërsa befasisht ka mbetur jashtë evropianit që mbahet këtë muaj në Kroaci. Në kualifikime për evropian ishte në grupin e dytë, ndërsa mbeti pas Bjellorusisë, Serbisë e Rumanisë. Në evropian u kualifikuan Bjellorusia e Serbia.
Pavarësisht se nuk është në evropianin e Kroacisë, Polonia mbetet me shumë peshë në hendbollin ndërkombëtar. Ka shumë lojtarë në nivelet më të larta, ndërsa nuk i mungon as përvoja. Në Olimpiadën “Rio 2016”, Polonia u rendit e katërta, që është sukses shumë i madh. Në “Pekin 2008” ishte e pesta, ndërsa ka një vend të tretë nga viti 1976. Ka marrë pjesë edhe në Olimpiadat e vitit 1972 e 1980.
Në botërorin e vitit të kaluar, Polonia ishte e 17-ta, ndërsa në vitin 2015 ishte e treta në botë. Vend të tretë kishte edhe në botërorin e vitit 2009, ndërsa nënkampione e botës ishte në vitin 2007. Polonia merr pjesë në botëror rregullisht prej vitit 2007, ndërsa ka pasur edhe nëntë paraqitjet më parë. Në evropian polakët ishin të shtatët në vitin 2016. Suksesin më të madh e kanë arritur në vitin 2010 kur u renditën të katërtit. Prej vitit 2002 deri në vitin 2016, Polonia është paraqitur rregullisht në evropian.
“Kemi edhe disa ditë para ndeshjes së parë në Portugali. Duhet të mendojmë për disa gjëra, të përmirësojmë disa elemente dhe të mbajmë në mend që nuk luajmë vetëm ndaj organizatorit të turnout, pra Portugalisë”, ka thënë përzgjedhësi i Polonisë, Piotr Przybecki.