Presidenti Saraçini: FINAL4 i Kupës të jetë spektakli i radhës i hendbollit kosovar

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini ka uruar klubet, lojtarët dhe gjithë komunitetin e hendbollit para fillimit të FINAL4 të Kupës së Republikës së Kosovës, që të shtunën e të dielen zhvillohet në Prishtinë. Në FINAL4 paraqiten skuadrat më të mira në të dy konkurrencat dhe tifozët do të kenë rastin që në Pallatin e Rinisë dhe Sportit të shohin hendollistët më të mirë në vend.

Në urimin e presidentit Saraçini thuhet: Në fundjavë organizojmë një ngjarje tjetër me shumë rëndësi për sportin dhe federatën tonë. Katër skuadra cilësore te hendbollistët dhe katër skuadrat më të mira te hendbollistet garojnë për trofeun e çmueshëm të Kupës së Republikës së Kosovës. Uroj që këtë ngjarje me peshë të gjithë së bashku ta shndërrojmë në spektakël të hendbollit dhe sportit në përgjithësi. Federata dhe sporti jonë janë në një moment të lavdishëm, pas sigurimit të paraqitjes në botëror dhe fitores poashtu historike ndaj Izraelit. Në kohën kur rejtingu i sportit tonë po shkon duke u rritur me hapa të shpejtë dhe kur hendbolli po e fiton vendin e merituar, një ngjarje e suksesshme e Kupës, me ndeshje cilësore dhe në frymën sportive, është obligim për të gjithë ne. Uroj paraqitje të mira për të gjitha skuadrat. Të gjitha tashmë janë fituese dhe i tillë është edhe hendbolli kosovar. Drejt sukseseve të reja ndërkombëtare, me shumë peshë është ngritja e nivelit në skenën vendore. Dhe për këtë duhet të kontribuojmë të gjithë, me paraqitje në fushën e lojës, organizim, anim, udhëheqje. Duke u dëshiruar fat të gjitha skuadrave pjesëmarrëse, uroj që FINAL4 të kalojë në frymë të korrektësisë dhe të jetë një hap tutje drejt ngritjes në nivelin e dëshiruar evropian.

Lajme tjera