Presidenti Saraçini merr konfirmimin se simbolet e Kosovës do të respektohen në Spanjë

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka zhvilluar takime të shumta gjatë Konferencës së Presidentëve të EHF-së dhe FINAL4 të Ligës së Kampionëve, që po mbahen në Kelln të Gjermanisë.

Presidenti Saraçini është takuar edhe me presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe me përfaqësuesit e Federatës së Hendbollit të Spanjës. Në këto takime Saraçinit i është konfirmuar se flamuri i shtetit të Kosovës dhe himni i Kosovës do të respektohen gjatë kampionatit botëror të juniorëve që në muajin korrik mbahet në Spanjë.

Në këtë botëror merr pjesë edhe Kosova, ndërsa autoritetet spanjolle nuk e kishin shfaqur flamurin e Kosovës në ceremoninë e shortit, duke e zëvendësuar atë me logo të FHK-së. Por reagimi i Federatës tonë ishte i menjëhershëm dhe Federata Ndërkombëtare e Hendbollit i dha afat Spanjës që deri në fillim të qershorit të jap garancë se do të respektohen simbolet e Kosovës në Botëror, në të kundërtën Spanjës do t’i merret e drejta e organizimit të Botërorit.

Por në takimet që në fundjavë kishte presidenti Saraçini me mikun e madh, presidentin e IHF-së, Hassan Moustafa dhe presidentin e Federatës së Hendbollit të Spanjës z. Paco Blazquez Garcia, u konfirmua respektimi i simboleve të Kosovës. Ky konfirmim erdhi pas një komunikimi të gjatë të FHK-së me IHF-në dhe Federatën spanjolle.

IHF-ja, njëjtë si Federata jonë, ishte kategorike që Kosova të paraqitete e barabartë me vendet tjera, pra që të respektohen të gjitha simbolet tona. Kështu Spanjës nuk iu la rrugëdalje pos të pranojë paraqitjen tonë me të gjitha simbolet.

Në Konferencën e Presidentëve të federatave nacionale të EHF-së, presidenti Saraçini po shoqërohet nga nënpresidenti Enis Idrizi. Dy drejtuesit e Federatës kanë pasur takime të shumta me rëndësi për hendbollin kosovar.

Lajme tjera