Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Presidenti Saraçini takohet me kryetarin e Istogut, Ilir Ferati

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini të martën ka pasur një takim me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Ferati. Takimi është mbajtur në komunën e Istogut.

Saraçini ishte i shoqëruar nga Edi Kolgeci, anëtar i Bordit të FHK-së, dhe Faruk Shala, trajner i Istogut.
Saraçini ka përgëzuar kryetarin Ferati për faktin se Istogu është shndërruar në qendër të rëndësishme të hendbollit, sidomos atij të vajzave. Gjatë takimit është diskutuar për thellim të bashkëpunimit, sidomos në prag të dy ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në konkurrencë të femrave me Ishujt Faroe. Është vendosur që dy ndeshjet të luhen në palestrën e qytetit në Istog, në fillim të nëntorit.

Kështu Istogu do të shndërrohet edhe një herë në qendër të rëndësishme të hendbollit.
I pari i Istogut, Ferati, ka premtuar përkrahje të madhe për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit në atë komunë dhe që ndeshjet me Ishujt Faroe të organizohen në mënyrë shembullore.

Palestra në Istog do të jetë e stërmbushur edhe më 15 e 16 tetor kur KHF Istogu i luan dy ndeshjet me Çairin në kuadër të Kupës Evropiane. Skuadra istogase po përgatitet për të kaluar tutje në Kupën Evropiane. Përkrahja e shikuesve vlerësohet me shumë rëndësi.