Klubi i hendbollit Prishtina në fundjavë i luan ndeshjet e para evropiane për këtë edicion. Në kuadër të raundit të tretë të Kupës Evropiane, Prishtina takohet me skuadrën e njohur greke, AEK. Të dy ndeshjet luhen në Athinë. Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 18:00 kurse të dielën luhet ndeshja e dytë në termin të njëjta.
Skuadra e Prishtinës nesër niset për në Athinë. Skuadra prishtinase ka punuar me përkushtim në ditët e fundit, që të jetë e gatshme për ndeshjet me AEK-un që llogaritet favorit.
“AEK-u është ekip shumë i fortë. Ka në përbërje katër lojtarë të Spanjës, një kroat, një serb, një austriak, një brazilian dhe shumë lojtarë kualitativë vendorë. Ekipi ynë është me 100 për qind vendorë. AEK-u është favorit, por do të japim maksimumin”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Taib Kabashi.
Prishtina ka angazhuar disa lojtarë nga skuadrat tjera, që në Greqi të paraqitet sa më mirë. Në raundin e dytë të Kupës Evropiane, Prishtina e eliminoi pa lojë Dobrudjan bullgare. Skuadra bullgare hoqi dorë nga ndeshjet. Shorti i raundit të tretë nuk ka favorizuar Prishtinën.
“Nisemi nesër në ora 17:00. Kemi disa përforcime dhe disa mungesa. Kemi angazhuar Arbër Currin e Vëllaznimit si dhe Festim Mustafën e Arben Dugollin të Kastriotit”, ka theksuar Kabashi.