Të dielën u luajtën tri ndeshje të javës së tetë të Superligës së Kosovës në hendboll. Dy prej tyre ishin interesante dhe me rivalitet, kurse u fituan nga skuadrat mysafire.
Kështu Prishtina fitoi 33:32 ndaj Rahovecit në “Mizahir Isma”. “Vreshtarët” shënuan tri gola në minutën e fundit për t’u afruar në rezultat, por pa arritur të barazojnë.
Oltion Beshiri shënoi 6 gola për Prishtinën, ndërsa nga 5 i kishin Albi Gjuka, Rron Ramadani, Agon Bajqinovci, Sergio Barreto e Hamdi Salihu.
Braziliani Marley Carvalho Fernandes i shënoi 8 gola për Rahovecin. Shtatë i shtoi Besmir Kusari, kurse 5 gola i realizoi Mali Luzha.
Ndërkohë Vushtrria fitoi në udhëtim ndaj Deçanit me rezultat 37:33. Te Vushtrria u dalluan Egzon Ademi dhe Nemanja Drakuloviq me nga 11 gola. 4 gola i shënoi Erkan Abazxhiku.
Fatlind Mazrekaj i kishte 10 gola te Deçani, kurse 6 i realizoi Ilir Thaqi. Matheus Henrique i shtoi 5 gola.
Trepça ka fituar pa telashe ndaj Llapit, 53:27. Vëllaznimi – Besa Famgas luhet të hënën.