Prishtina fiton derbin, Kastrioti merr pikë në Rahovec

Dy ndeshje shumë të mira kanë hapur stinorin pranveror në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
Të shtunën në kuadër të xhiros së 15-të, Prishtina ka mposhtur Trepçën në kryeqytet me rezultat 31:29. Ky ishte derbi i javës.
Ndeshja ishte e fortë prej fillimit e deri në fund, ndërsa dy pikët mbetën në kryeqytet. Në pjesën e parë skuadra vendase krijoi epërsi deri në tre gola, por mysafirët u kthyen dhe pas 30 minutave rezultati ishte 12:12.
Ndeshje e fortë u luajt edhe në pjesën e dytë. Fillimisht në epërsi prej një goli ishin herë njëra e herë skuadra tjetër. Më pas Prishtina u shkëput deri në pesë gola, 27:22. Mitrovicasit u afruan në 29:28 e 30:29, por Prishtina e mbajti epërsinë për të fituar me 31:29.
Albi Gjuka ishte më efikasi te Prishtina me 9 gola. Pesë i kishte Samid Mekiq, ndërsa nga katër i realizuan Sergio Barreto, Rron Ramadani e Agon Bajqinovci. U dallua edhe portieri Cristiano Seben Rossa.
Te Trepça më efikasët ishin Deniz Terziqi e Yassine Henahen me nga shtatë gola. Katër i kishte Lulzim Shabani, ndërsa nga tri i realizuan Sali Maxhera e Muhamet Dubovci.
Dramatike ishte edhe ndeshja në mes të Rahovecit dhe Kastriotit. Ajo nuk dha fitues, përfundoi 32:32.
Mysafirët nga Ferizaj e nisën ndeshjen më mirë dhe ishin në epërsi deri në tri gola, deri në minutën e 22-të. Prapë Kastrioti u kthye në epërsi dhe në pushim shkoi me rezultatin 16:13. Në minutën e 40-të rezultati u barazua në 20:20. Më pas në 21:21 para se ferizajasit të shkëputen në 25:22. Në minutën e 53-të rezultati u barazua në 29:29 dhe më pas Rahoveci doli para, 32:29. Por Festim Mustafa shënoi dy gola (57’, 59’) para se Agon Selmani të barazonte në 32:32 në fund.
Alban Haziri shënoi 7 gola për Rahovecin, kurse nga 5 i kishin Adonit Isufi e Besmir Kusari.
Mustafa i kishte 10 gola për Kastriotin, kurse 9 i realizoi Hamdi Salihu. Selmani shënoi 4 herë.

Lajme tjera