Të hënën mbrëma u luajt ndeshja e radhës në kuadër të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Në kryeqytet, Prishtina mposhti Vushtrrinë me dhjetë gola dallim, 44:34. Ndeshja i takoi xhiros së 11-të.
Prishtina që në nismë vendosi ritmin në ndeshje, duke krijuar epërsi 5:1 e më pas 7:2. Në pjesën e dytë për kohë të gjatë mbajti epërsi prej dhjetë e më shumë gola.
Oltion Beshiri i realizoi 11 gola për Prishtinën. Tetë i shënoi Mërgim Ademi e gjashtë i kishte Albi Gjuka.
Vushtrrisë nuk i mjaftuan 14 golat e Erkan Abazxhikut. Shtatë i shënoi Egzon Ademi e gjashtë i kishte Muhamet Hyseni.
Prishtina renditet e katërta me 12 pikë nga dhjetë ndeshje. Vushtrria është e shtata. I ka gjashtë pikë nga 11 ndeshje.