Edhe një ndeshje tjetër ka dëshmuar se ky edicion i Superligës së hendbollistëve do të jetë shumë interesant.
Ndeshja mes Vëllaznimt dhe Prishtinës është vendosur vetëm në aksionet e fundit. Fitore me rezultatin 31:30 ka shënuar Prishtina. Lulzim Shabani ka shënuar në fund për rezultatin 31:30, përkatësisht për fitoren e Prishtinës. Florian Rexha barazoi rezultatin në 30:30. Oltion Beshiri shënoi për 30:29 në të mirë të Prishtinës.
Shabani ishte më efikasi te Prishtina me 10 gola. Nga 6 i shënuan Beshiri, Agon Bajqinovci e Beni Sula. Çlirim Rama u dallua me efikasitet te Vëllaznimi me 9 gola. Nga 5 i kishin Arbër Neziri e Ardi Halili.
Në pjesën e parë Prishtina kishte epërsi të lehtë. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 16:14 për Prishtinën. Por gjakovarët, si zakonisht, nuk u dorëzuan dhe luftuan për fitore deri në fund. Rezultatin e barazuan në 28:28 dhe më pas pësoi drama deri në fund.
Prishtina shënoi fitoren e parë, ndërsa Vëllaznimi pësoi humbjen e dytë. Por në të dy ndeshjet ka shfaqur potencial.
Të dielën u luajt edhe ndeshja mes Zhegrës e Drenicës. Fitore me rezultat 39:27 shënoi Drenica. Besim Dubovci shënoi 11 gola për Drenicën. 7 i kishte Valmir Thaqi. Yll Sllamniku e Landrit Mustafi shënuan nga 7 gola për Zhegrën.