Rahoveci është kampion vjeshtor, 14 fitore rresht për “vreshtarët”

Rahoveci është kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt).
“Vreshtarët” i kanë fituar të gjitha 14 ndeshjet e pjesës së parë të edicionit garues 2023/2024. I bie që Rahoveci ka mposhtur nga dy herë të gjitha skuadrat. Ka fituar dy herë ndaj kampiones në fuqi, Besa Famgasit, e po ashtu dy herë ndaj fitueses së Kupës, Trepçës.
Me 603 gola të shënuar, Rahoveci ka sulmin bindshëm më efikas. Ndërkohë ka pranuar 404 gola, dy më shumë se Besa Famgas.
Rahoveci dimëron në krye me 28 pikë. Besa është e dyta, por ka gjashtë pikë më pak – 22. Trepça ka 20 pikë në vendin e tretë.
Rahoveci ka disa vjet që shquhet për organizim e seriozitet. Nivelin e organizimit e ka rritur edhe më shumë në verë dhe kjo solli fitoret rresht. Ka angazhuar lojtarë cilësorë vendorë e të huaj e po ashtu bëri ndryshime në shtabin teknik. Ka pasur edhe përkrahje të mirë nga shikuesit, ndërsa me paraqitjet në vjeshtë ka dëshmuar se është kandidat i fuqishëm për dy trofetë e këtij edicioni – titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Lajme tjera