Në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri të dielën është luajtur derbi i xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Në një atmosferë të bukur sportive, janë takuar Vushtrria dhe Rahoveci. Ashtu si pritej, ndeshja ishte e fortë dhe me rivalitet.
Të dy skuadrat kanë pretendime për pozitat e kreut në këtë kampionat dhe me paraqitjen e treguar kanë dëshmuar se janë në rrugën e duhur. Megjithatë më shumë nga loja kishin “vreshtarët” që kanë fituar me rezultatin 34:30. Pas pjesës së parë mysafirët kishin epërsi prej dy golave, ndërsa epërsinë konstante e kanë mbajtur deri në fund. Vushtrriasit e kthyer në Superligë, kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të kaluar në epërsi, duke e bërë ndeshjen interesante dhe të fortë deri në fund.
Në ndeshjen tjetër të së dielës, Trepça ka shënuar fitore të pritur ndaj Deçanit me rezultat 34:21.