Rahoveci i pandalshëm, shënon fitoren e 13-të rresht

Rahoveci ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Rahoveci e mposhti Trepçën me rezultat 42:36. Ishte kjo kryendeshja e xhiros së 13-të. Për Rahovecin ishte fitorja e 13-të, që dëshmon për dominimin e plotë të kësaj skuadre.
Rahovecasit kanë dominuar gjatë tërë ndeshjes. Herët u shkëputën në rezultat dhe mbajtën epërsi bindëse deri në fund. Me lojë të shpejtë dhe mbrojtje të fortë e të lëvizshme, “vreshtarët” arritën te fitorja bindëse. Rahoveci udhëheq në tabelë me 26 pikë. Trepça mbetet e treta me 18 pikë.
Jon Muqolli udhëhoqi Rahovecin me plot 14 gola. 12 i shënoi Alban Haziri, ndërsa 9 i kishte Mali Luzha. Te Trepça më efikasët ishin Amar Mujka e Ermir Smaka me nga 7 gola.
Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshje të xhiros së 13-të.
Kampionia në fuqi, Besa Famgas e mposhti Prishtinën me rezultat 39:30.
Besa është e dyta me 20 pikë. Prishtina e pesta me 14 pikë.
Antonio Vozila i shënoi 11 gola për Besën, ndërsa Ajdin Smajlbegoviq i kishte 7. Vladyslav Napadailo realizoi 13 gola për Prishtinën. 9 i kishte Albi Gjuka.
Ndërkohë Deçani e mposhti Vushtrrinë me rezultat 36:34. Deçani është i gjashti me 6 pikë. Vushtrria është e shtata me 2 pikë.

Lajme tjera