Rahoveci ka përmbysur rezultatin në pjesën e dytë për ta fituar derbin e javës së 12-të të Superligës ndaj Vëllaznimit.
Të dielën në Gjakovë, Rahoveci fitoi me rezultat 27:25, ndonëse pas 30 minutave lojë ishte duke humbur 16:14. Në pjesën e parë gjakovarët vazhdimisht ishin në epërsi. Por pjesa e dytë ishte më ndryshe. Fillimisht Vëllaznimi krijoi epërsi deri në katër gola, ndërsa pas minutës së 40-të rezultati u barazua në 20:20. Rahoveci kaloi në epërsi 21:20, por Vëllaznimi sërish ktheu avantazhin prej një goli. Në minutën e 53-të rezultati ishte 25:23 për vendasit. Fundi i ndeshjes u takoi vreshtarëve. Lojtarët e Rahovecit shënuan katër gola deri në fund për fitoren 27:25.
Alban Haziri ishte më efikasi me 9 gola. Adonit Isufi i realizoi 5 gola kurse 4 i kishte Arlind Tanushi. Mali Luzha ishte më efikasi te Vëllaznimi me 8 gola. Çlirim Rama i shënoi 4 gola.
Rahoveci është i katërti me 14 pikë nga 11 ndeshje. Vëllaznimi renditet i gjashti me 10 pikë.
Fitore të pritura të dielën kanë shënuar Trepça e Llapi. Trepça mposhti Zhegrën me 43:23, kurse Llapi fitoi ndaj Drenicës me 40:31.