Të dielën janë luajtur dy ndeshje të xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll (meshkujt). Skuadrat favorite nuk kanë lejuar befasi.
Rahoveci ka shënuar fitoren e nëntë rresht dhe tani udhëheq në tabelë me 18 pikë.
Në palestrën “Mizahir Isma”, Rahoveci fitoi kryendeshjen e xhiros ndaj Kastriotit me rezultat 42:33.
23:17 ishte rezultati pas pjesës së parë.
Egzon Gjuka i shënoi 13 gola për Rahovecin, ndërsa nga pesë i kishin Victor Alonso e Jeton Bislimi. Besnik Bytyqi shënoi shtatë gola për ferizajasit, ndërsa nga gjashtë i kishin Endrit Tafarshiku, Festim Mustafa e Beni Sula.
Kastrioti është i katërti me dhjetë pikë nga dhjetë ndeshje.
Në Mitrovicë, Trepça fitoi ndaj Deçanit me rezultatin 47:36. 23:20 ishte rezultati pas pjesës së parë.
Trepça është e treta me 14 pikë nga nëntë ndeshje. Deçani mbetet i gjashti me katër pikë nga dhjetë ndeshje.
Hamdi Salihu i shënoi dhjetë gola për Trepçën. Nëntë i kishte Amar Mujka. Albilon Loshaj i shënoi 11 gola për deçanasit, derisa dhjetë herë shënoi Ardrin Dobraj.