Saraçini: Kuvendi të bëjë të mundur që sporti të ketë përkrahjen e duhur

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, ka lëshuar një komunikatë në emër të komunitetit të hendbollit, lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me aprovimin e ligjeve dhe amandamenteve për përkrahjen ndaj sportit.

Në komunikatën e Saraçinit thuhet:
“Në kohën kur djemtë tanë janë në vlugun e përgatitjeve për pjesëmarrje historike në kampionatin botëror të juniorëve, sporti në vend mori një goditje të papritur. Dje në Kuvendin e Kosovës nuk kaloi Ligji për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, saktësisht amandamenti që do t’i hapte rrugë aplikimit të Ligjit të Sponsorizimit në Sport, Kulturë e Rini.

Aplikimi Ligjit për Sponsorizim është jetik për hendbollin dhe sportin kosovar në përgjithësi. Në kohën kur po kalojmë barriera të mëdha dhe po shkelim territore të reja falë angazhimit të jashtëzakonshëm, përkrahja nga shteti, por edhe nga sektori privat është me shumë rëndësi për komunitetin tonë. Ndaj kërkojmë nga kuvendarët e nderuar që të shqyrtojnë edhe një herë vendimin që morën dhe kalimin e këtij amandamenti ta kenë prioritet të menjëhershëm.

Sporti, duke përfshirë fuqishëm hendbollin, po ofron momente krenarie për vendin tonë. Dhe momentet e tilla do të jenë të rregullta e edhe më të mëdha me përkrahjen e duhur. Kuvendarët duhet të kryejnë detyrën që iu takon në këtë drejtim. Ne sportistët po e kryejmë punën tonë, por pa përkrahje është shumë e vështirë dhe gjërat jo gjithnjë ecin në drejtimin e duhur.

Përmes sportit Kosova po arrinë suksese të jashtëzakonshme edhe në rrafshin diplomatik, politik dhe të njohjes së shtetit. Kështu muajin tjetër Kombëtarja jonë e juniorëve do të paraqitet në kampionatin botëror që mbahet në Spanjë, vend ky që nuk e njeh shtetin tonë. Por përmes sportit Spanja e shumë vende tjera po detyrohen të na njohin. Politikanët vazhdimisht mburren me sukseset e arritura në rrafshin sportiv dhe është koha e fundit që ata të marrin më seriozisht angazhimin për plotësimin e kushteve për sportistët, ambasadorët më të mirë të vendit.

Ndaj, në emër të komunitetit të hendbollit, i lus dhe kërkoj nga të gjitha grupet parlamentare që të rivendosin në rend të ditës dhe të votojnë ligjin që ndihmon sportin, kulturën dhe artin, që janë frymëzim i të gjitha kulturave nacionale”.

Lajme tjera