Mbi 70 trajnerë të hendbollit morën pjesë në Seminarin Qendror që u zhvillua të shtunën e të dielën në Prishtinë.
Seminarin e organizoi Shoqata e Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Kosovës.
Ligjërues ishte eksperti i njohur kroat, Nenad Shoshtariq. Ai ka përvojë të gjatë e shumë të suksesshme në hendbollin evropian. Ndër të tjera ka udhëhequr hendbollistet e Kroacisë drejt medaljes së bronztë në Evropianin 2020. E ka fituar edhe garën evropiane Challenge Cup, ndërsa lista e sukseseve të Shoshtariqit është e gjatë.
Shoshtariq shquhet edhe si ligjërues. Trajnerët kosovarë të hendbollit kanë mundur të mësojnë shumë gjëra gjatë dy ditëve. Janë shtjelluar tema të shumta, në teori dhe praktikë.
Drejtuesit e Shoqatës së Trajnerëve të Hendbollit të Kosovës janë shprehur shumë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe rrjedhën e seminarit. Kanë thënë se asnjëherë nuk ka pasur interesim më të madh.
Seminari është zhvilluar në kuadër të shkollimit për trajnerë sipas RINCK Konventës.