Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës kanë udhëtuar të mërkurën (sot) për në Karlskrona, ku të enjten (nesër) prej orës 19:00 është ndeshja me Suedinë.
Ndeshja Suedi – Kosovë i takon fazës së dytë kualifikuese për Botërorin 2025. Prej të hënës Kombëtarja jonë ka stërvitur në qytetin tjetër suedez, Eslov.
Selektori Agron Shabani është i kënaqur me punën e bërë, por pranon forcën e Suedisë, që është Kombëtarja bindshëm më cilësore në fazën e dytë kualifikuese.
“Suedia është Kombëtare me histori të pasur dhe performancë të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare. Ekipi i drejtuar nga Tomas Axner përbëhet nga një kombinim i lojtareve me përvojë dhe talenteve të reja. Në mesin e tyre janë disa lojtare që luajnë në ekipe me renome të Evropës. Suedia vazhdon të jetë forcë e rëndësishme në hendbollin ndërkombëtar. Prandaj, duke marrë parasysh përvojën dhe sukseset e fundit të Suedisë, mundësitë tona janë të kufizuara, edhe pse kemi bërë përparim të dukshëm në vitet e fundit duke arritur suksese të rëndësishme në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Shabani.
Ai ka folur edhe për ndryshimet në ekip.
“Në nëntor e siguruam vendin e parë në grup në fazën e parë kualifikuese duke mposhtur Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Për momentin kemi ekip komplet të ri, në krahasim me grumbullimin e kaluar. Kemi mungesën e tri lojtareve, Leonora Demajt, Marigona Hajdarit dhe Arlinda Hajdarit. Për shkak të lëndimit dhe obligimeve personale nuk i kemi në dispozicion këtë moment. Është kthyer Mirela Gjikokaj dhe Merlinda Qorraj, që janë lojtare të elitës së Norvegjisë. Kemi ftuar edhe disa lojtare tjera, duke u mundaur të formojmë një ekip të ri me potencial të ri. Nuk do të jetë lehtë, duke marrë parasysh që do të kemi një ekip të ri në fushën e lojës, me disa stërvitje së bashku. Por shpresoj se vajzat do të japin maksimumin edhe pse jemi në një situatë të re”, ka vazhduar selektorit i Kosovës, Agron Shabani.
Ndeshja e kthimit është të dielën nga ora 17:15 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.