Drejtuesit e Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës (SHGSK), të prirë nga kryetari Edmond Thaçi dhe dy nënkryetarët Alba Merovci dhe Jon Ajeti, u pritën të hënën nga zyrtarë të Federatës së Hendbollit të Kosovës, kryetari Eugen Saraçini dhe sekretari i Përgjithshëm, Izet Gjinovci.
Në këtë takim shumë miqësor, kryetari i SHGSK-së, Edmond Thaçi, i informoi zyrtarët e FHK-së lidhur bordin e ri si dhe me aktivitetet e Shoqatës. Kryetari Thaçi, theksoi nevojën e bashkëpunimit si dhe ngritjen e kapaciteteve të përbashkëta, për sfidat që i presin këto dy institucione.
“SHGSK-ja, respektivisht bordi i ri, kërkon thellimin e bashkëpunimit edhe më të madh me FHK-në, me qëllim që aktivitetet e kësaj federate, të pasqyrohen më shumë nga gazetarët sportivë. Ne kërkojmë që t’i ofrohet më shumë mundësi gazetarëve që të përcjellin aktivitetet e kësaj federate sidomos në momentin kur kombëtaret zhvillojnë ndeshje në arenën ndërkombëtare”, theksoi Thaçi.
Në anën tjetër, kryetari i FHK-së Eugen Saraçini, e falenderoi SHGSK-në për punën që po bën, duke inkurajuar gazetarët që të kenë më shumë në fokus aktivitetet vendore.
“Ju përgëzoj për punën që po bëni. Federata e Hendbollit e Kosovës është shumë e interesuar që të ketë vëmendje edhe më të madhe nga gazetarët që të përcjellin më shumë sportin e hendbollit, si të ligave poashtu edhe të kombëtareve”, tha Saraçini.
Zyrtarët e Federatës së Hendbollit të Kosovës, premtuan që me mundësitë e tyre, t’i mundësojnë gazetarëve të sportit që të përcjellin nga afër aktivitetet e rëndësishme të këtij sporti shumë atraktiv.
Në këtë takim, u diskutuan edhe shumë çështje që kanë për qëllim interesin e përbashkët të gazetarëve sportivë dhe të FHK-së.