Kampioni aktual i Kosovës në hendboll (femrat), Shqiponja e Gjakovës vazhdon traditën e bukur për të organizuar turne ndërkombëtar me rastin e 8 Marsit, Ditës së Gruas. Në edicionin e këtij viti të turneut “Shqiponja 2000” marrin pjesë skuadra nga katër vende të ndryshme. Turneun me pjesëmarrje e nderojnë skuadra bullgare, Slivnica, Nikshiqi i Malit të Zi, Qairi i Maqedonisë dhe klubi nikoqir, Shqiponja.
Hapja e turneut bëhet të enjten (nesër) në ora 15:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Ndeshja e parë luhet prej orës 16:00 kurse e dyta prej orës 17:30. Të premten, më 8 mars, luhen dy ndeshjet përmbyllëse. Kështu prej orës 12:00 është ndeshja për vend të tretë, ndërsa prej orës 14:00 luhet finalja e turneut.
Klubi Shqiponja turneun e organizon me përkrahjen e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Gjakovës dhe të Federatës së Hendbollit të Kosovës.