Ndonëse nuk i ipeshin gjasa për të kaluar në gjysmëfinale, Sllovenia ka arritur fitore të madhe ndaj Spanjës dhe kështu ka mbajtur gjallë gjasat për një vend në gjysmëfinale të kampionatit evropian të hendbollit. Të martën mbrëma në Varazhdin para 4100 shikuesve, Sllovenia fitoi ndaj Spanjës me rezultat 31:26. Në fund të pjesës së parë sllovenët ia dolën të kalojnë në epërsi me një gol, ndërsa në të dytën e mbajtën epërsinë konstante. Te Sllovenia më efikasi ishte Gashper Marguq me pesë gola, ndërsa për Spanjën gjashtë herë shënoi Ferran Sole. Për Slloveninë ishte fitora e parë në fazën e dytë të garave. Më meritori për fitoren e sllovenëve u vlerësua portieri Urh Kateliq, që u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes. Spanjollët shfaqën dobësi si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Sidomos mbrojta e tyre pati telashe të mëdha.
Sllovenia i ka tri pikë dhe mbanë vendin e pestë në grupin e dytë të fazës kryesore. Prinë Danimarka me gjashtë pikë, para Spanjës, Gjermanisë e Çekisë që i kanë nga katër pikë. E fundit është Maqedonia poashtu me tri pikë.
Shumë më dramatike ishte ndeshja e dytë e së martës mbrëma. Po në Varazhdin, Çekia fitoi me rezultat të ngushtë, 25:24 ndaj Maqedonisë. Në pjesën e dytë çekës bënë rikthimin e madh. Në sekondën e fundit u akordua penallti për Maqedoninë, por gjuajtjen e Dejan Manaskovit e ndali portieri Tomas Mrkva. Pavel Horak shënoi plot tetë gola për Çekinë, derisa për Maqedoninë më efikasi ishte Filip Taleski me pesë gola.
Të mërkurën (nesër) luhen ndeshjet e fundit dhe vendimtare në të dy grupet. Të gjitha katër vendet që dërgojnë në gjysmëfinale janë të hapura.
Ndeshjet e grupit të parë janë: Serbia – Bjellorusia (16:00), Suedia – Norvegjia (18:15) dhe Kroacia – Franca (20:30). Në grupin e dytë luhen këto ndeshje: Sllovenia – Çekia (16:00), Maqedonia – Danimarka (18:15), Gjermania – Spanja (20:30).