Sot zhvillohet turneu kushtuar heroit Jeton Tërstena

Turneu tradicional “Jeton Tërstena – Tota” zhvillohet të dielën (sot) në palestrën në Samadrexhë. Këtë turne kushtuar ish-hendbollistit të suksesshëm, e organizon KH Vushtrria. Është turne tradicional që zhvillohet në prag të edicionit.
Hapja e turneut kushtuar heroit të Kosovës është në ora 12:00. Prej orës 13:00 zhvillohet ndeshja e parë, ndërsa në ora 15:00 është ndeshja e dytë. Finalja luhet prej orës 18:00. Priten ndeshje të bukura dhe në frymën sportive.
Pos nikoqirit, KH Vushtrrisë, marrin pjesë edhe Besa Famgas, Prishtina e Trepça. Për Prishtinën e Trepçën do të jetë provë gjenerale para ndeshjeve evropiane. Ndërkohë edhe Besa Famgas po përgatitet për gara evropiane.
Emrin e heroit Jeton Tërstena e mban palestra në Vushtrri. Tota është shquar si hendbollist, ndërsa i është bashkuar herët radhëve të UÇK-së. Më 6 gusht të vitit 1998, në mbrojtje të pozicioneve të luftës, Jeton Tërstena ra heroikisht me armë në dorë. Me veprën e tij mburret gjithë Vushtrria, por edhe gjithë komuniteti i hendbollit në vend dhe i gjithë vendi ynë.

Lajme tjera