Spanja fiton titullin e Evropës

Spanja e ka fituar titullin në kampionatin evropian të hendbollit që të dielen mbrëma përfundoi në Zagreb të Kroacisë. Në ndeshjen finale të luajtur në “Arena Zagreb”, Spanja e mposhti Suedinë me rezultat 29:23. Spanja bëri rikthim të madh në pjesën e dytë për të fituar finalen. Pjesa e parë e takimit përfundoi me rezultat 14:12 për Suedinë. Por e motivuar nga pritjet e portierit Arpad Sterbik, Spanja nisi fuqishëm pjesën e dytë dhe arriti te fitorja. Vendimtare ishte seria 8:1 në fillim të pjesës së dytë. Në pjesën e parë suedezët krijuan epërsi prej tri golave, ndërsa portieri i tyre Mikael Appelgren bëri 11 pritje.

David Balaguer e Ferran Sole ishin më efikasët te Spanja me nga pesë gola, sa realizoi Jesper Nielsen për Suedinë. Për Spanjën është vetëm titulli i parë i Evropës. Spanjollët kanë humbur katër herë në finale të kampionateve evropiane, por më në fund e fituan një të tillë. Spanjollët kanë edhe dy tituj botëror e poashtu tri medalje të bronzta olimpike.

Vendin e tretë në “Euro 2018” e zuri Franca që për medalje të bronztë fitoi ndaj Danimarkës me rezultat 32:29. Nikola Karabatiq udhëhoqi Francën me nëntë gola. Plot 12 herë shënoi Hans Lindberg për Danimarkën.

Në shtatëshen më të mirë të evropianit kanë zënë vend: Vincent Gerard (portier – Francë), Ferran Sole (alo e djathtë – Spanjë), Alex Dujshebaev (bek i djathtë – Spanjë), Sander Sagosen (qendër – Norvegji), Mikkel Hansen (bek i majtë – Danimarkë), Manuel Shtrlek (alo e majtë – Kroaci), Jesper Nielsen (pivot – Suedi). Lojtari më i vlefshëm u shpall suedezi Jim Gottfridsson, ndërsa lojtari më i mirë i mbrojtjes kroati Jakov Gojun. Golashënuesi më i mirë i evropianit ishte çeku Ondrej Zdrahala me 55 gola.

Lajme tjera