Sporti që shkruan historinë

14 prilli i vitit 2019 do të mbetet datë e rëndësishme në histori të  hendbollit dhe sportit kosovar në përgjithësi. Në këtë mbrëmje një ekip kombëtar i Kosovës siguroi për herë të parë paraqitjen në një botëror. Natyrisht bëhet fjalë për hendbollin, për kombëtaren U21. Hendbolli si shumë herë deri më tani vazhdon të shkruajë historinë e sportit të Kosovës. Lojtarët e drejtuesit tanë janë “autorë” të historisë.

Do të jetë gjenerata e drejtuar me shumë entuziazëm nga Fatmir Muhaxheri që në korrik të këtij viti do të ketë privilegjin të përfaqësojë Kosovën për herë të parë në një botëror. Kampionati botëror për junior (U21), mbahet në Spanjë dhe Kosova përballë do të ketë kombëtaret më të mira në botë.

Ky sukses i jashtëzakonshëm është arritur me ngadhënjim në garën prestigjioze IHF Trophy që për katër ditë u mbajt në Prishtinë. Mbyllja ishte perfekte. Me atmosferë impozante të afro 2000 shikuesve, me përkrahje të madhe për djelmoshat tanë dhe me fitore poashtu të madhe.

Kundërshtar i Kosovës U21 ishte Taipei Kinez, një kombëtare shumë e papërshtatshme me lojtarë të shpejtë, të diciplinuar dhe punëtorë të mëdhenjë. Djelmoshat tanë i patën vështirësitë e tyre, sidomos në minutat e fundit të pjesës së parë, por u këndellën më pas dhe cilësia erdhi në shprehje në fund.

Pas epërsisë bindëse në fillim të ndeshjes, Taipei Kinez u afrua vetëm në një gol në fillim të pjesës së dytë. Por më pas djelmoshat tanë shtrinë dominimin në fushën e lojës dhe gradualisht ndërtuan fitoren historike që për herë të parë do të mundësojë himnin e Kosovës në një kampionat botëror në sported ekipore. Në fund rezultati ishte 30:26 në të mirë të Kosovës. Në festë shpërthyen lojtarët e drejtuesit në terren e poashtu shikuesit në tribuna.

Jon Muqolli, Drenit Tahirukaj, Arben Dugolli, Albin Xhafolli, Adrian Halili, Festim Mustafa, Besian Abazi, Lulzim Shabani, Rinor Avdulli, Art Luzha, Flakrim Beqiraj, Atdhe Basholli, Labinot Gubetini, Blend Dalladaku do të mburren gjatë me suksesin e kësaj jave. Fatmir Muhaxheri e Benon Brahushi do të mbahen mend gjatë që ndërtuan këtë ekip të madh, që do të kërkojë të lë gjurmët e tij edhe në Botërorin në Spanjë.

Deklaruan pas ndeshjes finale:

Fatmir Muhaxheri: Për 4-5 vite punojmë me këtë gjeneratë, me këtë grup lojtarësh. Ata sot dhe gjatë tërë garës dhanë atomin e fundit për të lartësuar emrin e Kosovës. Kanë luajtur me vetëmohim shembullor. I përgëzojë të gjithë për angazhimin e madh dhe për suksesin historik që e arritëm.

Jon Muqolli: Është sukses historik. Prej ditës së parë kemi synuar të fitojmë këtë garë dhe të sigurojmë paraqitjen në botëror, që nuk është arritur deri më tani në sportet ekipore të Kosovës. Jemi jashtëzakonisht shumë të kënaqur. Është suksesi më i madh në karrierën tonë të deritashme.

Drenit Tahirukaj: Asnjë ekip i Kosovës nuk është kualifikuar në kampionat botëror dhe ne e arritëm këtë sonte. Jemi shumë krenarë për këtë arritje. Shpresojmë që me punë të vazhdojmë të ngritemi në nivele edhe më të larta. Jemi një grup i mirë lojtarësh.

Lajme tjera