Mini-afati kalimtar dimëror për hendbollistë fillon të martën (nesër) dhe zgjatë deri më 22 janar. Është Bordi i Federatës së Hendbollit të Kosovës që në mbledhjen e fundit të mbajtur më 10 janar vendosi që afati për kalim në të dy gjinitë të jetë prej 15 deri më 22 janar. Të drejtë regjistrimi në këtë afat kanë hendbollistët dhe hendbollistet që nuk kanë kontrata me klube, apo që e kanë fletëlëshimin konform Rregullores mbi regjistrimin e klubeve, lojtarëve dhe transferimin e tyre.
Pas përfundimit të afatit kalimtar dimëror, nuk lejohen lëvizje të lojtarëve nga klubi në klub. Përjashtim ka për lojtarët që vijnë nga shtete tjera. Për lojtarë që vijnë nga vendet tjera kërkesat mund të dorëzohen deri më 28 shkurt.