Deniz Terziqi ishte i pandalshëm në finale të Kupës së Republikës së Kosovës në hendboll. Ndonëse skuadra e tij, Prishtina, u mposht, Terziqi shkëlqeu duke realizuar 13 gola. Disa prej golave të tij ishin shumë të bukur.
Terziqi ka vlerësuar stinorin e Prishtinës, ndërsa ka uruar Besa Famgasin për trofetë e fituar.
“Së pari falënderoj bashkëlojtarët për angazhimin gjatë tërë edicionit. Kemi arritur në finale të dy garave, në plejof dhe në garën për Kupë. Por na mungonin disa gjëra për të arritur më shumë se vetëm pjesëmarrje në finale. I përgëzoj lojtarët e Besa Famgas dhe klubin pejan për të arriturat në këtë edicion. Ishin më të mirë se ne dhe me plot meritë i kanë ngritur dy trofetë. KH Prishtinës i mbetet të mendoj se çfarë ka munguar gjatë këtij edicioni dhe t’i plotësoj për stinorin e ardhshëm. Besës i urojmë suksese vitin e ardhshëm jo vetëm në kampionat, por edhe në garat ndërkombëtare”, ka theksuar Terziqi.
Dy finalet e Kupës kanë qenë korrekte, ndërsa notë të lartë mori edhe organizimi i turneut të Kupës nga KH Istogu.