Kombëtarja e Kosovës në hendboll (femrat) ka luajtur të shtunën mbrëma ndeshjen e parë testuese me Greqinë. Ndeshja u luajt në Selanik, ndërsa Kombëtarja vendase fitoi me rezultat 30:26.
Paraqitja e vajzave tona ishte shumë e mirë, ndërsa selektori Agron Shabani është ndarë i kënaqur me paraqitjen.
Rezultati ishte thuajse i barabartë gjithë kohën, ndërsa në fund ndikuan edhe disa vendime të gjyqtarëve vendas.
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen. Ky grup po luan së bashku për herë të parë pas tri vjetësh. Kthimi i Leonora Demajt si kapitene, pastaj i Arlinda Hajdari dhe të tjerave ishte shumë pozitiv. Të gjitha lojtaret kanë shfaqur nivel të mirë. Na mbetet t’i bëjmë edhe disa përmirësime, por testi i parë ishte shumë pozitiv. Lojtaret i janë përmbajtur detyrave dhe ne jemi të kënaqur”, ka thënë selektori Shabani.
Ndeshja e dytë testuese me Greqinë është nesër.
Këto ndeshje shërbejnë për të gjetur formën për sfidat kualifikuese me Ishujt Faroe që luhen të enjten e të shtunën në Istog.