Tjetër e arritur e madhe e FHK-së, IHF Trophy sërish në Kosovë

Kosova do të jetë sërish qendër e rëndësishme e hendbollit. Prej 10 deri më 16 tetor në Prishtinë do të organizohet gara IHF Trophy për zonën e Evropës. Ky kompeticion me peshë, në kryeqendrën tonë do të organizohet për grupmoshën e juniorëve dhe të rinjve. Është ky një tjetër sukses i Federatës së Hendbollit të Kosovës. “IHF Trophy” është garë e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit që ia ka dhënë FHK-së të drejtën e organizimit të ngjarjes së rëndësishme.

Federata jonë deri më tani ka organizuar shumë ngjarje të hendbollit, duke përfshirë edhe IHF Trophy, dhe vazhdimisht është konfirmuar si nikoqire shembullore.Për këtë arsye, IHF-ja sërish ia ka besuar Kosovës organizimin e IHF Trophy për zonën evropiane.
Në këtë garë me rëndësi për zhvillimin e mëtejmë të hendbollit janë ftuar ekipet kombëtare të Shqipërisë, Andorrës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bullgarisë, Britanisë së Madhe, Gjeorgjisë, Irlandës, Moldavisë dhe Maltës. Shumica prej tyre pritet të marrin pjesë. Edhe për Kombëtaret tona kjo garë është me rëndësi, marrë për bazë shkëputjen që ka ndodhur për shkak të pandemisë. Në fakt ekipet tona kombëtare paraqiten rregullisht në kampionate evropiane, por një kampionat shtesë do të jetë i mirëseardhur për hendbollistët tanë të rinj.

Kosova natyrisht e synon suksesin në IHF Trophy për Evropë. Fituesi i IHF Trophy për juniorët dhe për të rinjtë, kualifikohet në fazën interkontinentale. Ndërkohë fituesi i fazës interkontinentale siguron biletën për në Botëror. Përmes kësaj gare, Kosova U21 vite më parë luajti në Botërorin në Spanjë, duke shkruar histori. Te juniorët luajnë lojtarët e lindur në vitin 2002 dhe më të rinj. Ndërkohë te të rinjtë (youth), luajnë lojtarët e lindur në vitin 2004 dhe më të rinj. Këto grupmosha të Kosovës këtë verë e kanë prezantuar Kosovën në Kampionate Evropiane. Rezultatet nuk ishin ato që synoheshin, por dukshëm më tepër synohet në IHF Trophy.

Lajme tjera